Bota

Mark Zuckerberg: “Joe Biden dhe Kamala Harris ushtruan presion për të censuruar amerikanët…”!

Drejtori i Përgjithshëm i Meta, Mark Zuckerberg, pranoi me një letër se kompania e tij, Facebook, ishte nën presion nga administrata Biden-Harris për të censuruar amerikanët, veçanërisht në lidhje me përmbajtjen e COVID-19. Zuckerberg e pranoi këtë me një letër drejtuar Kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, më shumë se një vit pasi i dha komisionit mijëra dokumente si pjesë e hetimit të tij për moderimin e përmbajtjes në platformat online.

Së bashku me dokumentet, tha shefi ekzekutiv i Meta, kompania ka siguruar një duzinë punonjësish që të jenë në dispozicion për intervista të transkriptuara, duke theksuar bashkëpunimin e Meta-s me hetimin. “Po flitet shumë tani rreth mënyrës se si qeveria amerikane ndërvepron me kompani si Meta dhe unë dua të jem i qartë për pozicionin tonë”-shkroi Zuckerberg.

Ai shtoi se “platformat tona janë për të gjithë, ne jemi për të promovuar fjalën dhe për të ndihmuar njerëzit të lidhen në një mënyrë të sigurt. Si pjesë e kësaj, ne dëgjojmë rregullisht nga qeveritë në mbarë botën dhe të tjerë me shqetësime të ndryshme rreth diskursit publik dhe sigurisë publike”. Ai i tha Jordan-it se në vitin 2021 “zyrtarë të lartë” nga administrata e Biden dhe Shtëpia e Bardhë “u bënë presion në mënyrë të përsëritur ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar disa përmbajtje të COVID-19, duke përfshirë humorin dhe satirën”.

Kur Facebook nuk u pajtua me censurën, tha Zuckerberg, administrata e Biden shprehu shumë zhgënjim. “Në fund të fundit, ishte vendimi ynë nëse do të hiqnim ose jo përmbajtjen dhe ne marrim vendimet tona, duke përfshirë ndryshimet që lidhen me COVID-19 që bëmë në zbatimin tonë në vazhdën e këtij presioni,”-shkroi Zuckerberg.

“Unë besoj se presioni i qeverisë ishte i gabuar dhe më vjen keq që nuk ishim më të hapur për këtë”-shtoi ai. Në vijim CEO i Meta-s shprehet “gjithashtu mendoj se kemi bërë disa zgjedhje që, me përfitimin e informacionit të ri, nuk do t’i bënim sot”. “Siç u thashë ekipeve tona në atë kohë, ne nuk duhet të komprometojmë standardet tona të përmbajtjes ndaj presionit nga çdo administratë në të dyja drejtimet”-shtoi ai.