Politikë Rajoni

Marrëveshja për “Open Balkan” botohet në fletoren zyrtare/ Zbulohen 5 objektivat e memorandumit mes tre vendeve.

Finalizohet me një dokument të nënshkruar nisma “Open Balkan”, e kritikuar nga opozita shqiptare dhe politika e Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama; presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim, që është publikuar e detajuar në Fletoren Zyrtare. Memorandumi parashikon forcimin e marrëdhënieve dhe lirisë së lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, 3 shtetet do të reduktojnë kontrollet, formalitetet dhe numrin e dokumenteve të kërkuara, duke nxitur reduktim të kostove dhe shpejtësi në procedurën e zhdoganimit.

Objektivat e Memorandumit

a) rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet palëve.
b) thjeshtimi i procedurave në lidhje me importet, eksportet dhe lëvizjen e mallrave.
c) shkëmbimi i të dhënave ndërmjet autoriteteve të doganave dhe autoriteteve të tjera.
d) promovimi, nëpërmjet zgjerimit të tregtisë së ndërsjellë, i zhvillimit harmoni të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve.
e) eliminimi gradualisht i pengesave në tregtinë e mallrave

Memorandumi do të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar, ndërsa theksohet se ftesa mbetet ende e hapur për homologët e tyre të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, që të bëhen pjesë të Open Balkan. Deri më tani kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon të ketë një “jo” si përgjigje, ndryshime duket se ka nga ana e Malit të Zi pasi ministri i Brendshëm shqiptar, Dritan Abazoviç duket shum pro nismës.