Rajoni

Marrëveshja për targat, Policia e Kosovës gjobat nisin nga 22 nëntori!

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023.

Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

Për çështjen e planit të qeverisë për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç .

Kurti dhe Vuçiç kanë konfirmuar takimin.

Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza .

Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.