Aktualitet

Marrëveshja Shqipëri-Itali për njohjen e pensioneve, Rama: Përfitojnë 500 mijë shqiptarë!

Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Marrëveshja për pensionet i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama duke thënë se do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe më në fund, pas një përpjekje të gjatë e thuajse të pamundur, rreth 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë me hyrjen e saj në fuqi”, tha Rama.

Prej datës 25 deri më 27 korrik do të jetë në një vizitë në Tiranë, Senatori Tommaso Nannicini, Kryetar i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asistencës sociale, i cili do të kryesojë Delegacionin e përbërë nga Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore.

Delegacioni do të kryejë vizitën në Tiranë për negociatat me palën shqiptare marrëveshjen mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim arritjen e bashkimit të kontributeve shoqërore për ata shtetas që kanë punuar në të dy Vendet. Gjatë vizitës Delegacioni do të zhvillojë takime me Zëvendës Ministren e Financave, Olta Manjani, si edhe me ekspertë teknikë në fushën e legjislacionit dhe të marrëveshjeve mbi sigurimet shoqërore.

Konferenca për Shtyp lidhur me komunikimin e rezultateve të arritura gjatë takimit të parë të negociatave do të mbahet pranë Rezidencës së Italisë në datën 27 korrik në orën 12.30. Do të mbajë fjalën Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, Senatori Tommaso Nannicini dhe Geri Ballo, Nismëtare e peticionit “Pensioni është një e drejtë. Mbështesim marrëveshjen Itali-Shqipëri”.