Aktualitet Bota

Marrëveshje në Gjermani, edhe shqiptarët do të marrin më shpejt pasaportën gjermane!

Të huajt që prej vitesh jetojnë në Gjermani do të mund të marrin më shpejt pasaportën gjermane. Deri tani duhej që të prisnin tetë vjet për të marrë pasaportën, por në të ardhmen do të mjaftojnë pesë. Në një projektligj të koalicionit gjerman, thuhet:

Dhënia më e shpejtë e nënshtetësisë do të ishte “një stimul për t’u integruar më shpejt.

Sipas ministres së Punëve të Brendshme të Gjermanisë,  Nancy Faeser është i mundur edhe një integrim më i shpejtë.

Kush ka arritje të veçanta në integrim mund të marrë edhe pas tre vjetësh nënshtetësinë gjermane. Kjo vlen për ata që flasin shumë mirë gjuhën gjermane, në punë arrijnë rezultate të shkëlqyera apo angazhohen në punë vullnetare.

E mundur nënshtetësia e dyfishtë

Edhe nënshtetësia e dyfishtë është e mundur, sipas projektligjit. Fjala është për lejimin e disa nënshtetësive. Ministrja Nancy Faeser:

Shumë të ardhur në Gjermani, ndihen gjermanë, por nuk duan ta ndërpresin plotësisht marrëdhënien me vendin e origjinës. Në të ardhmen, ata nuk do të jenë të detyruar të dorëzojnë një pjesë të identitetit të tyre.

Po ashtu, fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do të marrin më lehtë nënshtetësinë gjermane. Kusht është që njëri nga prindërit të ketë jetuar të paktën pesë vite në Gjermani. Deri tani, ky kusht ishte tetë vite.

Politikani për Çështjet e Brendshme të CDU-së, Alexander Throm e kritikoi reformën e qeverisë, pasi me të “rritet rreziku që personat që nuk janë integruar sa duhet, të marrin nënshtetësi shumë shpejt”.

Një integrim pas tre ose pesë vjetësh është shumë i hershëm. Integrimi ka nevojë për kohën e tij.

Rregullat për integrim më të shpejtë përmes nënshtetësisë nuk do të vlejnë për ata persona që kanë rënë në sy për veprime antisemitiste. Drejtuesi grupit parlamentar të Partisë Liberale, FDP, Stephan Thomae:

Për të pasur siguri për këtë, ne duam që të forcojmë verifikimet dhe pyetje të sigurisë së personave që bëjnë kërkesë për nënshtetësi.