Aktualitet

Marrëveshje Shqipëri-Kosovë për sigurimet shoqërore!

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë marrëveshjen për “Njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore”. Siglimi i akordit do të bëhet pas dy ditësh ndërsa lajmin e dha sot Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Ekzekutivit.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi sot në Këshillin e Ministrave këtë marrëveshje që pritet të nënshkruhet ditën e premte, në mbledhjen e përbashkët të qeverive dhe që ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë.

Për Tiranën zyrtare, marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve, të cilëve konkretisht do t’i njihen periudhat e sigurimit e të kontributeve, në të dyja vendet.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrëlindje, nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në Shqipëri e Kosovë.

Ministrja theksoi se “kjo është një marrëveshje, e cila më parë është lidhur me shumë vende të tjera nga qeveria shqiptare”.

Aktualisht janë 3100 shqiptarë që punojnë ose jetojnë në vende të tjera dhe përfitojnë nga mbrojtja sociale që sigurohet nga kjo marrëveshje.