Aktualitet

Masakra në Fushë-Krujë, dyshohet për 4 autorë, vrasës me pagesë!

4 mësohet se kanë qenë autorët  e përfshirë në atentatin e Fushë-Krujës që ndodhi mesditën e sotme. Fillimisht, u raportua se ishin 3 autorë. Dyshohet se ata kanë dalë nga mjeti dhe kanë qëlluar para mjetit në drejtim të viktimave.

Ndërkaq shenja plumbash në ndarësen e 2 korsive në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë janë konstatuar në disa dhjetëra metra në vendin e ngjarjes, ku u ekzekutuan  Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Diklen Vata, ishte i vetmi nga 3 viktimat i cili doli nga automjeti i gjallë por autorët kanë vazhduar ta qëllojnë deri sa u siguruan që edhe ai humbi jetën.

Po ashtu po transportohen për në morg trupat e viktimave të atentatit mafioz në Fushë-Krujë pasditen e sotme. Gjithashtu po zhvendoset nga vendngjarja edhe makina me të cilin ata po udhëtonin, e cila është djegur totalisht.

Dyshohet se autorët kanë mbikëqyrur lëvizjen e viktimave prej disa ditësh. Kryesisht, autorët kanë ndjekur lëvizjet e Brilant Martinajt, i cili ishte dhe shënjestra e atentatit.

Ndërkohë Diklen Vataj luante rolin e truprojës së 22-vjeçarit, që dyshohet për vrasjen e dy ish-policëve, Xhulio Prelës dhe Xhelal Reçit.

Viktima tjetër, Besmir Hoxhaj raportohet të ketë qenë shofer në automjetin tip “VW Passat”, që dyshohet se u shkrumbua pas hedhjes së lëndës djegëse nga autorët.