Aktualitet

Masat anti-COVID, Belgjika rikthen udhëtimet jo esenciale me Shqipërinë!

Pas rekomandimit të pak ditëve më parë të Bashkimit Europian mbi regjimin e ri të lëvizjes mes shteteve, në kuadër të masave kundër COVID-19, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije ndryshimet për udhëtimet nga Shqipëria drejt disa vendeve të Unionit.

Bazuar në këtë rekomandim, qeveria belge ka rikthyer kufizimet për udhëtimet jo esenciale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria krahas Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës e Malit të Zi.

Shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë drejt Belgjikës kur janë të pajisur me certifikatën e vaksinimit. Pas mbërritjes në shtetin belg, i nënshtrohen testimit ditën e parë ose të dytë e të shtatë. Nëse në të 7-ën përgjigja është sërish negative, shtetasi del nga karantina.

Në rastet e udhëtimeve esenciale, duhet të kenë konfirmimin për udhëtimin nga ambasada e Belgjikës në Bullgari, pasi nga ky vend bëhet mbulimi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aplikimi për PLF kryhet online, duke ia drejtuar kërkesën me email, ambasadës në Sofje. Shtetasit mbi 12-vjeç duhet të jenë të pajisur me test PCR të 72 orëve të fundit dhe pas mbërritjes në Belgjikë do t’i nënshtrohen karantinës.