Aktualitet

Masat anti-COVID, bizneset në Vlorë sërish protestë: Baret të mbyllen në orët e para të mëngjesit!

Përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë janë sërish të pakënaqur në lidhje me masat anti-COVID, ndërsa kanë dalë sot përpara komisariatit të policisë Vlorë.

Ata kanë zhvilluar një takim me shefin e komisariatit Vlorë, ku kanë biseduar për orarin e muzikës dhe të mbajtjes hapur të lokaleve. Ervin Sota, përfaqësues biznesi në Vlorë thekson se ata do të qëndrojnë të palëkundur nga kërkesat e tyre që muzika të lejohet deri në ora 24 të mbrëmjes teksa edhe orari i mbylljes së restoranteve dhe bareve të jetë deri në orët e para të mëngjesit.

Vetëm pak javë më parë, pronarët e bizneseve në Vlorë u ngritën në protesta, duke mbyllur aktivitetet e tyre përgjatë Lungomares në kulmin e sezonit turistik. Ndonëse Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati me një orë orarin e lejuar të muzikës, ky vendim nuk i kënaqi pronarët e bizneseve, duke kërkuar shtyrjen e këtij orari edhe me një orë.

Kujtojme se vendi ynë ka regjistruar një tjetër rritje rastesh nga COVID-19. 45 të infektuar u shënuan këtë të shtunë. Lajmi i mirë është se edhe sot nuk ka patur viktima. Nga ana tjetër 17 pacientë janë shëruar ndërkohë që dy qytetet me më shumë raste ishin Tirana me 10 dhe Shkodra me 9. Aktualisht janë 402 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin, ndersa ne spital po trajtohen 21 pacientë.