Aktualitet

Masat anti-COVID, eksperti Alban Ylli propozon shtyrje të orës policore dhe maska pa detyrim!

Zëra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve mendojnë se ka ardhur koha për dy vendime të rëndësishme në lehtësimin e mëtejshëm të masave anti-COVID në vendin tonë ku situata me pandeminë është përmirësuar. Për Alban Yllin anëtar i këtij Komiteti, mbajtja e maskës mbrojtëse në mjediset e jashtme nuk duhet të jetë më detyrim e po kështu të shtyhet ora policore.

Prej më shumë se një javë, Shqipëria ndodhet në zonën e riskut të ulët dhe ne këtë e matim me disa indikatorë, të cilët janë duke u bërë më të fortë, si nga numri i rasteve ditore, pozitiviteti i testimeve, shtrimet në spital dhe numri i vdekjeve. Shpresoj në mbledhjen e radhës të kemi gradualisht lirimin e një apo dy masave. Unë personalisht do të propozoj zgjatje të orës policore deri në mesnatë e ndoshta ndërrimin në rekomandim të detyrimit për maskat në mjedise të hapura.

Por pavarësisht situatës optimiste, për ekspertin Alban Ylli, pandemia COVID si problem i shëndetit publik do të vazhdojë gjatë.

Duhet të vaksinojmë shumë për të qenë të sigurtë se nuk do të kemi problem.

Në Shqipëri ka shkuar në rreth 132 mijë totali i rasteve me koronavirus. Fatkeqësisht 2 mijë e 420 persona e humbën betejën me sëmundjen. Raste aktive janë më shumë se 10 mijë e 300 si dhe është kapërcyer shifra e më shumë se 622 mijë vaksinimeve.