Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Masat anti-COVID nuk ndryshojnë, fatalitetet mes të vaksinuarve, shumë të vogla!

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli njoftoi sot se nuk ka ndryshim të masave anti-COVID, mbetet në fuqi ora policore 23:00-06:00.

Këtë javë, situata mbetet relativisht e qëndrueshme, për këtë nuk do të ketë ndryshim të masave në fuqi. Ora policore nga 23:00 deri në 06:00, përdorimi  maskave do të vijojë i detyrueshëm aty ku e kemi rekomanduar. Do të vijojë të mos lejohet grumbullimi i më shumë se 50 vetave për aktivitete sportive e kulturore e do organizohen në kapacitete jo më shumë se 30% e ambienteve dhe duke zbatuar protokollet e rekomanduara.

Vazhdon njësoj rregulli i hyrjes në vendin tonë. Do të kërkohet prova e vaksinimit, kush nuk ka certifikatë vaksinimi, duhet të paraqesë provën e kalimit të sëmundjes brenda 180 ditëve apo testin që është i negativizuar. Për ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumente, mbetet në fuqi vendimi për vetëkarantimin 10-ditor.

Deri tani, me të dyja dozat e vaksinave anti-COVID është vaksinuar 33% e popullatës, ndërsa 41% vetëm me një. Ekspertët konstatojnë rritje të nivelit të vaksinimit. Gjirokastra e Delvina janë bashkitë me mbulesën më të lartë.

Ekspertja Silva Bino bëri të ditur se në Shqipëri nuk ka vaksina të skaduara dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH i ka përgëzuar për këtë fakt.

Por mjekët ngrejnë shqetësimin se po bie në sy një numër më i madh i grave shtatëzëna të infektuara. Profesor Dhimitër Kraja:

Në spitalet COVID-1 dhe COVID-3 ndodhen të hospitalizuar 230 pacientë. Kryesisht, të shtruarit vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, si dhe nga rrethe të ndryshme. Grupmoshat janë nga 19-89/vjeç. Mbizotëron mosha 50-60 vjeçe.

Në këtë fazë ka më shumë gra shtatëzëna që paraqiten me COVID, një pjesë e të cilave janë edhe me forma serioze. Rreth 95% e rasteve janë të pavaksinuar. Sa i përket formave klinike, rreth 63% e rasteve paraqesin ato të mesme, të rënduara. 24% janë forma të rënda dhe 13%, kritike.

A ka fatalitete nga rastet e vaksinuara?

Ka dhe ato janë më të vogla. Vdekjet ditore luhaten nga 5.1-5.4%.