Aktualitet

Masat anti-COVID, rregulla të reja për të hyrë në Austri!

Nga nesër, vetëm personat plotësisht të vaksinuar ose me dëshmi mjekësore që e kanë kaluar COVID-in e janë shëruar, lejohen të udhëtojnë nga Shqipëria për në Austri pa pasur nevojë të karantinohen. Lajmin e bën të ditur Ambasada e Tiranës në Vjenë.

Nga 15 shtatori 2021, udhëtarët e pavaksinuar mund të hyjnë në Austri, por duhet të regjistrohen paraprakisht në (Pre Travel Clearance English)https://entry.ptc.gv.at/en.html, të paraqesin test negativ të COVID-19 e të qëndrojnë në karantinim të detyruar për 10 ditë në një hotel ose vendbanim, me shpenzimet e tyre. Karantina mund të përfundojë pas 5 ditësh me një test negativ.

Përjashtohen nga kërkesat për regjistrim dhe karantinë ata që udhëtojnë për qëllime biznesi; forcat humanitare; të miturit midis moshës 12 dhe 18 vjeç që hyjnë në Austri nën mbikëqyrjen e personave plotësisht të imunizuar; ata që hyjnë në vend për arsye të paparashikueshme, urgjente, familjare si (sëmundje të rënda, vdekje në familje, funerale, lindje), të cilat do të vlerësohen dhe merren parasysh si të tilla nga autoritetet përkatëse.

Për informacione më të përditësuara e të detajuara të hyrjes në Austri, qytetarët mund të vizitojnë portalin zyrtar të Udhëtimit të qeverisë austriake në Austria.info.