Aktualitet

Masat kundër COVID-it, në aeroport lejohen vetë pasagjerët!

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit informon se në vijim të masave të reja anti-COVID, në ndërtesën e aeroportit do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre.

TIA thekson se “pasagjerët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar në protokollin e masave të sigurisë së shëndetit”.
Po ashtu, TIA informon se duke filluar nga data 6 shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë duhet të plotësojnë një nga tre kushtet e vendosura.

Pasagjerët duhet të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë; të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve; të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri, ndërsa fëmijët deri në 6-vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Ndërkohë, qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.