Aktualitet

Mashtrim me Tatimet, 13 të arrestuar në Tiranë!

Prokuroria e Tiranës ekzekutoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për arrestimin e 13 personave të përfshirë në skema të mashtrimit me tatimet në kompanitë ku punonin. Në njoftimin për mediat, thuhet se “arrestimi i tyre erdhi pas hetimeve të nisura në vitin 2020, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me Drejtorinë Policisë Tiranë”. Pas përfundimit të hetimeve, Gjykata e Tiranës dha masat e sigurisë për personat e përfshirë në këtë skemë të mashtrimit me TVSH-në ku ndaj 13 personave u dha masa e sigurisë “Arrest me burg” dhe 4 “Detyrim për paraqitje”.

Subjektet funksiononin si furnizuese dhe lëshonin fatura fiktive, duke mos kryer asnjë blerje e duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor. Këto fatura fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale 1,257,082,590 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe TF, afërsisht 300,000,000 lekë. Me kontabilizimin e kësaj vlere, të arrestuarit ulën pagesën e TVSH-së mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore, ulën normën e TF.

Gjykata e Tiranës  ka caktuar masë sigurimi “arrest në burg” ndaj 13 shtetasve si dhe masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj 4 shtetasve, të lidhur ngushtë me subjektet fiktive “No-El Construction” me nipt L72302057R, “G.S Construction” me nipt M01704017D, “Fam Construksion” me nipt L81408017V, “Tirana Universal Construksione me nipt L81721022Q, “Glob Construksion”, me nipt M21416014J, “Fredi 2021”, me nipt M11505007T, “Xhersi 2021”, me nipt M11705012P, “Aluku Grup”, me nipt M01922011F, “Joam”, me nipt M12315033I, si dhe të lidhur ngushtë me subjektet përfituese “Mihola”, me nipt L81616001M “E.L.2020 construksion”, me nipt M01420028U, “Amarildo Hasrama”, me nipt L61410014F, “Priam 20”, me nipt M02006001I.

Këto subjekte në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për veprën penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe “Bashkëpunimit”. Nga ky aktivitet kriminal, shtetasit nëpërmjet subjekteve fiktive kanë mundur të përfitojnë nga mospagimi i detyrimeve tatimore dhe përfitimi i tyre në mënyrë të kundraligjshme, duke i shkaktuar një dëm monetar dhe financiar shtetit në vlerën mbi 3 milion euro.

Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet e veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.