Aktualitet

Mashtrim përmes kriptovalutave, operacion ndërkombëtar në 7 shtete, mes të cilave Shqipëria!

Një hetim ndërkombëtar ka identifikuar disa rrjete kriminale që qëndrojnë pas më shumë se 470 faqeve të internetit që përdornin skema mashtrimi për klientët.

Rrjeti ndërkombëtar i kriptomonedhave dyshohet se ka mashtruar më shumë se 200.000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.

Nga tre milionë emaile që iu vunë në dispozicion policisë spanjolle, u identifikuan më shumë se 470 faqe interneti me domain-in spanjoll “.es”, nga të cilat rezulton se janë mashtruar 17.000 persona brenda Spanjës.

Sipas burimeve policore, kriminelët kanë grumbulluar 2.5 miliardë dollarë nga qindra mijëra viktima në mbarë botën.

Eurojust (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) po koordinon hetimin në shtatë vende evropiane. Së fundi, kontrolle janë kryer në qindra call center-a në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Ukrainë.

Këto organizata u krijuan fillimisht në Izrael dhe Evropën Lindore dhe më pas kanë nisur bashkëpunimin me njëra-tjetrën, thotë avokati Mauro Jordan. Një nga 20 klientët që ai përfaqëson është një grua 80-vjeçare, e cila humbi më shumë se 837.000 dollarë, duke investuar në kriptovaluta.