Aktualitet

Mashtrime me të huaj për investime në bursa fiktive, 6 në pranga në Tiranë!

Në Tiranë, një operacion policor i koduar “Fraud” çoi në pranga gjashtë persona, mes tyre administratori i një subjekti call center dhe pesë punonjës operatorë. Dyshohet se përmes telefonit mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive. Ndërkohë, u shpall në kërkim administratori tjetër i subjektit, si dhe po procedohet penalisht një punonjëse.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-E. N., 25 vjeç, banues në Tiranë, administratori subjektit call center;

-K. Gj., 25 vjeç, Sh. F., 26 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, K. K., 20 vjeç dhe H. S., 26 vjeç, të pestë banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim administratori tjetër i këtij subjekti, shtetasi P. A., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja D. K., 26 vjeçe.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. N. dhe shtetasi P. A. administronin një subjekt privat call center, në rrugën “Faik Konica”.

Në këtë subjekt ishin të punësuar si operatorë shtetasit K. Gj., Sh. F., A. Sh., K. K., H. S. dhe D. K., të cilët, së bashku me 2 administratorët, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit P.A. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.