Aktualitet

Mashtrimet me Call Center, Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest me burg” për 15 shtetas!

Prokuroria e Tiranës kërkoi “Arrest me burg” për 15 shtetas shqiptarë dhe italianë, pas dyshimeve se nëpërmjet mashtrimit me Call Center-a përfituan 5.7 milion euro.  Prokuroria e Përgjithshme njofton:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi nga Gjykata e Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurisë “arrest në burg”, ndaj 15 shtetasve shqiptarë dhe italianë nën hetim, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Nga të dhënat e disa institucioneve ligjzbatuese në vend, rezulton se në qendër të veprimtarisë së këtyre shtetasve, është ushtrimi i Brokërimit e kamufluar pas aktivitetit Call Center, ku janë të përfshirë disa operatorë ekonomikë që operojnë në Shqipëri, të cilët synojnë përfitimin e paligjshëm me vlera të konsiderueshme nëpërmjet mashtrimit të shtetasve të huaj. Në vijim të veprimeve hetimore të deleguara nga Oficerët e Sektorit të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka rezultuar se në llogaritë bankare të 15 subjekteve me fushë operimi Call Center, janë transferuar vlera të konsiderueshme monetare të cilat më pas janë tërhequr Cash duke iu fshehur destinacioni përfundimtar

Nga analizimi i gjithë veprimeve hetimore rezultoi si më poshtë: Administratoret e Subjekteve Call Center shqiptarë dhe të huaj kanë vepruar në kundërshtim me ligjin; Subjektet kanë qarkulluar vlera monetare të cilat nuk janë raportuar si e ardhur në organet tatimore duke shmangur kështu dhe përllogaritjen dhe pagimin e detyrimeve tatimore.

Pra, sa më lart, rezulton e provuar që shtetasit të cilët kanë ndërmarrë veprime financiare në emër dhe për llogari të këtyre shoqërive, një pjesë e të cilave janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra, të jenë pjesë e së tërës, të krijimit dhe funksionimit të një skeme të mirëmenduar me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore të subjekteve të ndryshme ose mbulimin e veprimtarive ekonomike të jashtëligjshme. Shtetasit që kanë kryer tërheqje siç u përshkruan më lart, kanë marrë pjesë në mënyrë aktive si bashkëpunëtorë për të ngritur, mbajtur në këmbë dhe për ta bërë të funksionojë një skemë të tillë mashtruese me qëllim shmangien nga pagesat tatimore dhe nga taksat si tatimi fitimi apo tatimi në burim.

Transfertat bankare të këtyre shumave në llogaritë dhe në favor të këtyre subjekteve Call Center, tërheqjet më pas në sasi të mëdha vlerash monetare në cash, qarkullimi i tyre jashtë sistemit bankar dhe mosraportimi i këtyre të ardhurave në organet e kontrollit të ligjshmërisë së këtyre veprimtarive, krijojnë dyshimin e arsyeshëm të kemi një qarkullim të pasurive me qëllim mbulimin e prejardhjes, natyrës së vërtetë, burimit, fshehjen e destinacionit, fitimit të pasurisë në mënyrë të paligjshme duke i bërë kështu subjekte të figurës së veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.

Nga hetimet në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, u grumbulluan prova dhe bazuar dhe në nenet 287/1 e 315 të Kodit të Procedurës Penale si dhe në Ligjin nr.9754 datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” u urdhërua regjistrimi i emrit të personave që u atribuohet vepra penale e  “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të shtetasve shqiptarë dhe të huaj: F.L., L.S., A.L., M.G., M.D.,J.M., I.M., L.F., G.T., D.A., M.F., D.O., B.M., M.L., A.S. Shuma totale e transaksioneve bankare të ardhura në llogaritë e kompanive dhe të padeklaruara është në total në vlerën € 5,799,010.

Nga ana e Prokurorisë u kërkua dhe u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë caktimi i masave të sigurisë “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.