Aktualitet

Mashtronin të huaj që të investonin në bursa fiktive, tre në pranga në Tiranë!

Në kryeqytet, tre persona u arrestuan në flagrancë e një tjetër po procedohet në gjendje të lirë, si të dyshuar se përmes telefonit mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive. Prangosja e tyre u bë në kuadër të finalizimit të operacionit policor të koduar “Last Call”. Nga veprimet hetimore rezultoi se ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh e përmes mashtrimit, i bindnin të investonin në bursën fiktive “Forex”.

Njoftimi zyrtar:

Policia e Tiranës, në bashkëpunim me AMP-në Rajonale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Last Call”.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, gjatë këtij operacioni u arrestuan dy persona pasi mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Po ashtu është proceduar penalisht një shtetas tjetër i cili ishte punonjës në subjektin call center.

Si rezultat i këtij operacioni arrestuan në flagrancë shtetasit  E. S.,  34 vjeç, F. Q., 23 vjeç, dhe M. K., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe po procedohet në gjendje të lirë shtetasi E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë.  Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit E. S., F. Q. dhe E. R., ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar dy të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.

Gjatë operacionit u sekuestruan njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.