Aktualitet

Maskat grabisin një shtëpi në Klos/Nënë e bir u dhunuan dhe u lidhën!

Grabitje me dhunë në Klos. Sot në orët e para të mëngjesit, disa persona të armatosur e të maskuar hynë forcërisht në një banesë, në fshatin Dom. Mësohet se në shtëpinë e familjes Lleshi, morën 8 mijë euro e një milion lekë, si dhe të tjera sende me vlerë. Kryefamiljaren e djalin e saj, i dhunuan dhe i lidhën me litarë.  Policia nisi hetimet për identifikimin e kapjen e agresorëve. Zyrtarisht, uniformat blu njoftojnë se kanë shoqëruar 6 vetë në komisariat, si dhe kryen kontrolle të zonës.

Në njoftimin e Policisë, thuhet:

Rreth orës 03.30, datë 02.10.2022,  në fshatin Dom, Klos,  persona ende të paidentifikuar, dyshohet se nën kërcënimin e armëve janë futur në banesën e shtetases Sh.Ll,  e cila ndodhej në banesë së bashku me djalin e saj  dhe me forcë iu kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.

Shërbimet e Policisë kanë  shoqëruar 6 persona në Komisariat dhe vijon kontrolli i zonës  për kapjen e personave të  përfshirë në këtë ngjarje. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.

Një banor i fshatit Dom, njëherazi i afërm i të dhunuarve gjatë grabitjes, i cili foli për mediat deklaroi:

Çunin e familjes e kanë rrahur tmerrësisht, e kanë lidhur dhe më pas i kanë vjedhur. Si lagje nuk na ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë. Nuk e dimë se çfarë po hyn e çfarë po del. Kush bën kështu veprimesh, duhet pushkatuar! Po është hequr pushkatimi… Ishte nëna me fëmijën vetëm në shtëpi.