Aktualitet

Mat, aksidentohet një turist francez!

Në malësitë e Matit, aksidentohet një turist francez në fshatin Gjoçaj, njësia administrative Derjan, në aksin rrugor Kurbnesh-Dukagjin, teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Defender”. Banorë të fshatit, të cilët shkuan me shpejtësi në vendin e ngjarjes thanë se 70-vjeçari ka pësuar dëmtime në shpatull.

Shumë shpejt u kërkua transportimi me helikopter, por turisti pas një bisede me Ambasadën Franceze u shpreh se nuk është i domosdoshëm dërgimi i mjetit fluturues. Ndërkaq, nga spitali “Xhavit Mara” u dërgua një autoambulancë drejt fshatit malor për ta transportuar drejt Burrelit.

Një ditë më parë, tre turistë zviceranë u rrëzuan duke ecur mes Thethit dhe Valbonës e njëri prej tyre humbi jetën. Burime për Top Channel bën të ditur se pas disa orësh, në spitalin e Tropojës u transportuan të plagosurit, ndërsa terreni ishte shumë i vështirë për të ndërhyrë.

Më herët, udhërrëfyesi Zef Gjini tregoi për Top Channel se ishte ai i cili mbërriti i pari në vendngjarje dhe gjeti në fund të humnerës një burrë të pajetë e një çift të rinjsh në gjendje të mirë shëndetësore. Turisti që humbi jetën tentoi të hidhej në anën tjetër të shtegut. Si pasojë i ka rrëshqitur këmba e ra në humnerë, ku ka edhe prani të borës.

Tre turistët ishin nisur dje nga Thethi për të kaluar në këmbë drejt Valbonës. Në Qafën e Valbonës, hasën në dëborë, ende të pashkrirë.  Në këto kushte, rruga e këmbësorëve dhe shtigjet për kalimtarët ishin me prezencë akulli dhe bore. Turistët zgjodhën të kalojnë përmes një shtegu që nga banorët përdoret vetëm nga kuajt në verë. Pasi kanë ecur për disa minuta në shtegun e kuajve, ata rrëshqitën duke rënë në një gremine rreth 30 metra.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe policia e Kukësit.

Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për turistët e huaj të cilët janë dëmtuar rëndë, duke eksploruar zonën e Valbonës, ju informojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas disa orësh kërkime, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”. Nga deklarimet paraprake të njërës prej turistëve, shtetases M. S., 29 vjeçe, rezulton se ajo po eksploronte zonën e Valbonës, së bashku me një turist tjetër, shtetasin D. J., 30 vjeç, i cili duke u ngjitur në një shkëmb të thepisur, me dëborë, ka rrëshkitur dhe ka rënë në humnerë, për pasojë ky shtetas ka humbur jetën. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë është bërë e mundur nxjerrja nga humnera e trupi të pajetë të shtetasit D. J. Ndërsa shtetasja M. S. po transportohet me helikopter, në spitalin e Bajram Currit.