Aktualitet

Matura Shtetërore, ministrja e Arsimit: Nuk ka gabime shkencore në tezën e biologjisë!

Në një reagim për Maturën Shtetërore, lidhur me kundërshtimet që kanë patur maturantët për testin e biologjisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi i jep përgjigje dyshimeve të ngritura. Për disa ditë, u krye një punë konsultuese e vlerësuese, me përfshirje të mësuesve dhe ekspertëve të fushës, për të mundësuar vlerësimin e cilësisë së testit.

Ministrja Kushi shprehet se “shumë prej maturantëve kanë shkëlqyer, madje përtej pritshmërive, duke vërtetuar që testi ka qenë një matës i mirë i përgatitjes së gjithsecilit”. Sipas saj, “nuk pati gabime shkencore” ndërsa thotë se pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar çdo notë.

Të dashur maturantë,

Siç ju premtuam, menjëherë pas provimit të biologjisë u angazhuam maksimalisht me mësuesit dhe ekspertët më të mirë, për të vlerësuar testin dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme që secili prej jush të ketë vlerësim të drejtë, sipas nivelit të arritjeve. Ju konfirmoj që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar secilën notë, e për të mos penalizuar as nxënësit e shkëlqyer, por për të vlerësuar të gjithë sipas punës e meritës.

Nisur nga shqetësimet tuaja, kemi punuar ditë e natë me mësuesit vlerësues për të garantuar shpalljen e rezultateve, me cilësi të lartë dhe në kohë sa më të shpejtë.Jam  shumë e kënaqur që shumë prej jush kanë shkëlqyer, madje edhe përtej pritshmërive, duke vërtetuar që testi ka qenë një matës i mirë i përgatitjes së gjithsecilit.

Tashmë rezultatet janë të publikuara në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe secili prej jush mund të gjejë vlerësimin e testit të tij. Sot gjatë ditës do të publikoj edhe disa teste të maturantëve që janë përgjigjur saktë dhe kanë marrë pikët maksimale. Ju uroj të gjithëve shumë suksese në vazhdimin e rrugëtimit tuaj drejt dijes!