Sport

Max Verstappen rrëmben titullin e parë në Formula 1, triumfon në xhiron e fundit ndaj Hamilton!

Max Verstappen është kampioni i ri i Botës në Formula 1. Në moshën 24-vjeçare, Verstappen i jep fund hegjemonisë së Lewis Hamilton, i cili në fakt e mendoi të sigurtë titullin numër tetë në karrierë. E gjitha kjo sepse britaniku ishte në udhëheqje të garës deri në xhiron e fundit në pistën e Yas Marina në Abu Dhabi.

Por çfarë ndodhi gjatë garës? Ajo nisi me “xixa” që në start, teksa Hamilton parakalon Verstappen duke marrë kryesimin, ndërsa pak metra më tutje, holandezi ia del ta parakalojë britanikun, megjithatë një kontakt mes të dyve avantazhon 36-vjeçarin. Nga ai moment, Hamilton bëhet i pakapshëm, teksa edhe pse pas ndalesës në bokse, Perez provon të bëhet faktor në favor të Verstappen, britaniku është dukshëm më i shpejtë dhe e parakalon meksikanin për të udhëhequr i qetë garën.

Deri kur në pesë xhiro para fundit, në pistë futet makina e sigurisë pas një aksidenti të Latifit. Verstappen e shfrytëzon këtë moment për të ndryshuar gomat, ndërsa Hamilton qëndron në pistë me shpresën se gara do të mbyllej nën regjimin e makinës së sigurisë. Por, ajo largohet një xhiro para fundit dhe Verstappen aq i mjaftonte për të dhënë maksimumin dhe me gomat më në formë, parakaloi britanikun. Hamilton provoi deri në fund të kundërpërgjigjej, por holandezi u mbrojt në perfeksion dhe ia doli të shpallej kampion i Botës.