Aktualitet Politikë

Maxhoranca i përgjigjet demokratëve për zgjedhjen e presidentit!

Maxhoranca thekson se “Partia Socialiste e ka legjitimitetin ta zgjedhë presidentin”, por se “do të donin që të zgjidhej me 84 vota”. Në një dalje për mediat, kreu i grupit socialist, Taulant Balla bëri të ditur se “po vijojnë negociata me grupet e tjera parlamentare”.

I vetmi kusht është që të kemi një president krejtësisht të ndryshëm nga Ilir Meta. Ishte reklama më e madhe për vendin. Shqipëria meriton një President Republike që realisht të jetë mbi palët. Unë mendoj që të gjitha palët duhet ta shohin me përgjegjësi këtë proces.

Në raundin e dytë dhe të tretin u kemi thënë, propozoni ju! Nuk kemi marrë një propozim shkresor nga ana e Partisë Demokratike.

Pjesëmarrja në proces është përgjegjësi kushtetuese, asnjë nga palët nuk po merr pjesë në proces për shkak të palës tjetër. Shqipëria meriton një President Republike, mbi palët.

Kam komunikuar me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës me të cilat do të vijojmë negociatat edhe në javët e ardhshme. Negociatat mes tyre do të vazhdojnë.

E kanë shumë gabim se ne nuk e kemi legjitimitetin, ne i kemi votat, por do të donim që kreu i shtetit të zgjidhej me 84 vota. Nëse nuk do të ushtrohet kjo e drejtë nga opozita, ne do të ushtrojmë të drejtën tonë. Presidentin nuk do t’ia japim asnjë partie politike.

Demokratët paralajmëruan se do të bojkotojnë procesin për zgjedhjen e presidentit. Më herët, në mbledhjen e grupit të PD-së në selinë blu, kryetari i tij, Enkelejd Alibeaj, si dhe deputetët Jorida Tabaku e Gazment Bardhi, kërkuan që “opozita të mos marrë pjesë në raundet e mbetura për presidentin”, se sipas tyre “Edi Rama e tregoi që nuk e respekton marrëveshjen dhe se në fund do të zgjedhë presidentin që kanë vendosur që në krye të herës”. Alibeaj u shpreh:

Sugjeroj që s’ka asnjë arsye të marrim pjesë. Ata thyen marrëveshjen!