Aktualitet Politikë

Maxhoranca, jo negociatave me PD-në për zgjatjen e Vetting-ut!

Taulant Balla deklaroi sot se “nuk do të ketë negociata me Partinë Demokratike për zgjatjen e afatit të Vetting-ut”. Në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se “themeli i Reformës në Drejtësi është largimi i çdo ndërhyrje nga ana e politikës në këtë reformë”.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë nuk është një çështje e jona, është një çështje shumë teknike për të zgjatur mandatin e këtyre dy institucioneve dhe për të garantuar proces të njëjtë për të gjithë gjyqtarët e prokurorët. Eshtë çështje teknike dhe nuk duhet të bëhet pjesë e debatit politik!

Balla tha se “propozimi që ka ardhur në një grup deputetësh është diskutuar gjatë, që nga legjislatura e kaluar me ata që kanë monitoruar implementimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe mosfutja e politikës në këtë proces është tejet jetike për vijueshmërinë e Reformës”.

As ka pasur dhe as nuk do të ketë negociatë për këtë gjë. Eshtë një rekomandim që ka ardhur nga partnerët e institucionet që monitorojnë proceset e Vetting-ut. Deri më tani, ky proces ka ecur shumë mirë, madje përtej pritshmërive. Askush nuk e dinte që një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarët do të shkarkoheshin. Grupi parlamentar i PS-së, s’do të hyjë në diskutim për këtë çështje. E rëndësishme është që politika duhet të qëndrojë larg Reformës në Drejtësi dhe Vetting-ut në veçanti.

Po ashtu, Balla theksoi se “Kuvendi shumë shpejt do të ngrejë komision të posaçëm për Reformën Zgjedhore”.

Gjithçka po diskutohet dhe në frymën e progres-raportit të sotëm të KE-së, duhet të vazhdojmë të institucionalizojmë frymën e një dialogu politik! Jemi 100% të hapur për të diskutuar të gjitha propozimet që vijnë nga grupi parlamentar i PD-së, nëse përmbushin kushtet që ka vendosur Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.