Aktualitet Politikë

Maxhoranca kërkon organizim më funksional sa i përket Reformës Territoriale!

Maxhoranca mbështet shtyrjen e mandatit të Komisionit të Reformës Territoriale. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur se nesër do të zhvillohet mbledhja e konstituimit e Komisionit të Reformës Territoriale, ku grupi i punës do të hartojë objektin e punës së komisionit.

Eshtë e rëndësishme që ky komision të bëjë një hulumtim të punës së deritanishme të reformës së miratuar nga Kuvendi më 2014-ën. Të shikohet edhe mundësia e një roli më të ndryshëm, se ai aktual i qarqeve. Zhvillimi rajonal duhet të jetë sfida jonë e përbashkët. Komisioni të shohë të gjitha mundësitë dhe eksperiencat e vende të tjera, të ngjashme me Shqipërinë, për të parë edhe një bashkëpunim rajonal mes bashkive. Në kuadër të procesit të integrimit europian, organet e qeverisjes vendore duhet ta përqasin rolin e tyre në nivel rajonal.

Në kuadër të reformës territoriale, janë 61 bashki nga 384 komuna që ishin më parë, por sipas Ballës, “sërish ka vend për përmirësim”.

Këto 7 vite kanë konfirmuar një përmirësim të shërbimeve publike, në dobi të qytetarëve. A ka vend për përmirësim? Besoj që kryeministri ka qenë i qartë në kërkesën dhe llogaridhënien e kryetarëve të bashkive dhe unë i bashkohem apelit për përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve në dobi të komuniteteve. Por diferenca nga ku ishim dhe ku jemi është shumë e madhe. Vlerësimi im është që qarqet në modelin aktual kanë humbur peshën e tyre dhe ndaj duhet të gjejmë një mënyrë për të shkuar me një organizim më të mirë.

Taulant Balla është i mendimit se në rastin e reformës territoriale, Komisioni duhet të marrë kohën e duhur.

Besoj do të jetë e nevojshme një zgjatje e mandatit dhe duhet të biem dakord në kohë me Partinë Demokratike që kjo zgjatje të bëhet.

Në kampin opozitar, për diskutimet lidhur me reformën territoriale, sot mblidhet grupi parlamentar demokrat, nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt.