Aktualitet Politikë

Maxhoranca kundër përzierjes së nismave për ndryshimet kushtetuese!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, “Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për të kryer atë që quhet “kontrolli i pastërtisë së figurës së politikanit””.

I pyetur nëse duhen shqyrtuar së bashku nismat e PS-së dhe PD-së për ndryshimet kushtetuese, Gjiknuri u shpreh:

Çështja nuk duhet përzier. E para, Vettingu në gjyqësor është marrëveshje e arritur kohë më parë, që tashmë përbën normë kushtetuese dhe ka dalë si nevojë e skadimit të një afati, për të cilin kemi rënë dakord të gjitha palët. Vettingu në gjyqësor është vazhdimësi e një ngrehine kushtetuese institucionale, që po funksionon.

Sa i përket çështjeve të tjera të dala rishtazi prej nevojave të ndryshme politike, unë e kuptoj shumë mirë opozitën dhe arsyet përse i ka sjellë. Mendoj se duhet të shohim kuadrin aktual ligjor. Unë nuk jam kundër që të negociohet, çdo gjë është e diskutueshme. Por a është kjo e nevojshme për nivel kushtetues? Këtë nuk mund ta them, sepse Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që bëjnë të mundur kontrollin e figurës së politikanit. Kemi një ligj për deklarimin e pasurive, ku të gjithë politikanët e lartë i nënshtrohen kontrollit të plotë, kemi një ligj të antimafies dhe pastrimit të parave, ku çdo produkt i presupozuar i paligjshëm, i nënshtrohet kontrollit të plotë dhe ligji për dekriminalizimin. Ne kemi legjislacion të plotë.

A është gati PS që Vetting-u të transferohet në KLGJ e KLP sikurse Kushtetuta e parashikon?

Nëse votimi dështon dhe nuk arrihen votat, atëherë kjo i bën dëm procesit, por në fund të fundit, Kushtetuta ka parashikuar dhe zgjidhjen. Me këtë nuk dua të them se nuk kemi nevojë të gjejmë konsensus. Me këtë nuk dua të them se ne nuk kemi hapësirë të bëjmë edhe kompromis, por pa vënë në rrezik arritjet dhe jo për shkak të nevojës për kompromis të zgjidhjes së problemeve politike, që nuk kanë lidhje me proceset të cilat janë propozuar.

Sa i përket Komisionit të Reformës Zgjedhore ku u zgjodh bashkëkryetar, Gjiknuri tha se pret që opozita të ulet.

Natyrshëm, ka një eksperiencë sesi trajtohet Reforma Zgjedhore, gjithmonë fillohet nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ka disa rekomandime të dhëna edhe nga zgjedhjet e fundit. Besoj se fokusi aty duhet të jetë.