Aktualitet

Mbetet në burg ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë që mashtroi me rreth 600 mijë euro!

Mbetet në burg, ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, e akuzuar se mashtroi familjen Verracaku në Shkodër për një proces gjyqësor, si dhe shoqen e saj, Elira Shyti për një investim, duke iu marrë rreth 600 mijë euro.

Deraj i mori 230 mijë euro mikeshës, me premtimin se do t’i investonte në bono thesari, si dhe 340 mijë familjes Verracaku, për t’i shpëtuar nga burgu përjetë.

Në dëshminë në gjykatë, Milena Deraj deklaroi se katër banda  e kanë kërcënuar që të shpëtonte nga burgu përjetë Abedin e Shyqyri Verracakun. Ajo kërkoi masë më të lehtë për t’u kujdesur për djalin 3-vjeçar, por gjykata e rrëzoi. Për momentin është çështja nën hetim për mashtrim të madh, por nëse do të verifikohet pjesëmarrja e personave të tjerë apo zyrtarë, kjo çështje mund t’i kalojë SPAK-ut.

Familja Verracaku, ka një proces gjyqësor në Shkodër, në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në Velipojë, në vitin 2021. Deraj u premtoi heqjen e dy burgimeve të përjetshme. Ajo u arrestua dy ditë më parë nga blutë e Tiranës. Kur punonte në bankë, i premtoi shoqes së saj Elira Shyti se paratë do t’ia investonte në bono thesari, që më pas të përfitonte nga interesat. Paratë i mori si në bankë ashtu dhe në dorë.

Përmes një banke të nivelit të dytë u kryen dy transaksione në shumat 47 mijë euro dhe 20 mijë. Pjesën ia dha në dorë Milenës, në këste që varionin nga 10 deri në 30 mijë euro dhe që siç tha Deraj, i merrte hua nga të afërmit.

Por, kur Shyti po shihte se paratë nuk po i ktheheshin mbrapsht, bindi shoqen e saj Milena Deraj për firmosjen e një deklarate noteriale për shumën totale prej 230 mijë eurosh. Në kërkim të parave që nuk po i ktheheshin, Elira takoi dhe bashkëshortin e Milenës, punonjës në Kryeministri. Ai e garantoi që do t’i kthenin të gjitha paratë, bashkë me fitimin. Lidhur me rastin e mashtrimit të familjes Verracaku në Shkodër, ndërlidhës mes Derajt e Verracakëve ishte Elira Shyti.