Bota

Mbi 10 mijë pasagjerë të prekur nga anulimi i fluturimeve në Britani, dy avionë u goditën nga rrufeja!

Më shumë se 10.000 pasagjerë të linjave ajrore u përballën me anulime fluturimesh në dy aeroportet më të ngarkuara të Britanisë së Madhe, për shkak të motit të keq dhe kufizimeve të trafikut ajror.

British Airways anuloi 51 fluturime që do të operonin në ose nga Heathrow të dielën dhe 31 të tjera të hënën.

Fluturimet i anuluan disa kompani edhe në aeroportin Gatwick të Londrës. Më e prekura ishte EasyJet, me 34 fluturime të anuluara të dielën dhe të paktën nëntë të hënën.

Pasagjerët e prekur nuk kanë gjasa të kenë kompensim, pasi anulimi konsiderohet të jetë jashtë kontrollit të linjave ajrore. Por, ata kanë të drejtë për ndihmë, e cila mund të përfshijë pije freskuese, akomodim gjatë natës dhe rezervime me transportues alternativë.

“Për shkak të kufizimeve të kontrollit të trafikut ajror dhe motit të pafavorshëm, sikurse linjat e tjera ajrore, edhe ne kemi bërë disa ndryshime në orarin tonë”, tha një zëdhënës i British Airways.

Dy avionë të kësaj kompanie u nxorën jashtë shërbimit të dielën, pasi u goditën nga rrufeja.