Tech

Mbi 100 milion video të fshira nga TikTok, shkak shkelja e rregullave të përdorimit!

Së fundmi rrjeti social TikTok ka bërë të ditur se ka fshirë më shumë se 113 milionë video midis prillit dhe qershorit të këtij viti, sipas raportit tremujor të kompanisë. Video të shumta janë hequr për shkelje të rregullave të përdorimit, por kjo është vetëm një përqindje e vogël në krahasim me sasinë e përmbajtjes që publikohet në TikTok. Më saktësisht, 113 milionë video përfaqësojnë vetëm 1% të numrit total të publikuar gjatë tre muajve.

Arsyeja më e zakonshme për heqjen e një videoje është shkelja e rregullave që lidhen me sigurinë e të miturve, që është pak më pak se 44% e videove të hequra. Arsyet e tjera të shpeshta janë aktivitetet e paligjshme dhe mallrat e rregulluara, si dhe aktivitetet seksuale. Një numër në rritje i videove në TikTok po hiqen nga sistemet e automatizuara të platformës, me rreth 48 milionë të hequra tremujorin e kaluar. Gati 96% e videove në periudhën tre mujore u hoqën përpara se përdoruesit t’i raportonin ato në TikTok.

Kompania tha se përdor mjete të automatizuara dhe analiza njerëzore kur shqyrton përmbajtje që mund të shkelin kushtet e përdorimit. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, TikTok luftoi me përmbajtje luftarake mashtruese dhe të rreme që u shfaqën masivisht në platformë, duke ndaluar përfundimisht videot nga Rusia dhe duke futur etiketimin e mediave shtetërore. Përpara zgjedhjeve në SHBA në nëntor, TikTok njoftoi se po ndalonte mbledhjen e fondeve për qëllime politike dhe kërkonte që profilet e qeverisë, politikanëve dhe partive politike të aplikonin për verifikim.

Rikujtojmë, se ompanitë më të mëdha kineze online, si Alibaba, ByteDance që ka në pronësi TikTok dhe Tenent, kanë ndarë detajet e algoritmeve të tyre me qeverinë kineze, diçka që ndodh për herë të parë, sipas tyre. Algoritmet vendosin se çfarë postimesh shohin përdoruesit dhe renditjen se si i shohin ato, duke u bërë kështu një pikë kyçe për rritjen e platformave të rrjeteve sociale. Në përgjithësi ato ruhen me fanatizëm nga kompanitë.