Bota

Mbi 110 mijë doza vaksinash në BE kundër lisë së majmunëve!

Komisioni Europian nënshkroi sot një marrëveshje me kompaninë farmaceutike daneze, “Bavarian Nordic” për mbi 110 mijë doza vaksinash për të luftuar shpërthimin e vazhdueshëm të lisë së majmunëve.

Ndryshe nga vaksinat e COVID-19/ës, që u kontraktuan nga Komisioni Europian, por paguheshin individualisht nga vendet e BE-së, kontrata mbi vaksinat për linë e majmunëve, fillimisht do të financohen nga buxheti i përbashkët i BE-së.

Kjo është hera e parë që buxheti i BE-së po përdoret për të blerë vaksina, në mënyrë që të mund të shpërndahen sa më shpejt në vendet anëtare. Që nga data 18 maj e këtij viti, rreth 900 raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 19 vende të Bashkimit Europian, si dhe në Norvegji e Islandë. Dërgesat e para të dozave do të fillojnë në fund të qershorit, në ato vende që kanë më shumë nevojë.

Lia e majmunëve është një virus që e ka origjinën tek kafshët e egra, si brejtësit e primatët e që ndonjëherë kalon edhe tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusesh të lisë.

Infektimi i parë tek njeriu ndodhi në vitin 1970 dhe u regjistrua te një djalë në një zonë të largët të Kongos, në Afrikë. Në vitin 2003, 47 persona në gjashtë shtete amerikane u infektuan nga qentë e egër që jetonin pranë disa gjitarëve të vegjël të importuar nga Gana.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se tashmë ka mijëra raste të tilla në vit, kryesisht në vende afrikane dhe se kjo sëmundje mund të rezultojë fatale për një në dhjetë persona. Shumica e pacientëve të infektuar me linë e majmunit kanë vetëm temperaturë, dhimbje në trup, ethe e lodhje, simptomat më të zakonshme. Njerëzit e sëmurur më rëndë, mund të kenë irritim të lëkurës në fytyrë dhe duar e që mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit.