Politikë

Mbi 3 orë debat, mbyllet mbledhja e PD-së së Alibeajt, 2 emra për Bashkinë Tiranë

Grupimi Alibeaj, që zyrtarisht njihet nga institucionet si Partia Demokratike, ka marrë tre propozime nga të cilat mund të zgjedhë për kandidatin që do të përfaqësojë partinë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Sipas burimeve, janë propozuar Jonila Godole dhe Roland Bejko.

Pas vendimit të KQZ për të regjistruar PD-në me nënkryetar Enkelejd Alibeaj dhe duke refuzuar Sali Berishën, ky grup bëri thirrje për regjistrimin e kandidatëve të Rithemelimit nën siglën e PD zyrtare. Por kërkesa u refuzua vazhdimisht nga pala tjetër.

Rithemelimi ka prezantuar si kandidat për Bashkinë Tiranë Belind Këlliçin, ndërsa të shtunën PS pritet të zyrtarizojë kandidatët e saj, ku për Tiranën Erion Veliaj është i sigurt drejt rikandidimit.

Vetë Alibeaj dhe një pjesë e anëtarëve që e mbështesin, ka kërkuar që PD të dalë në zgjedhjet lokale të 14 majit me 61 kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe me kandidatë për këshillat bashkiakë. Por ka pasur edhe nga ata deputetë të cilët kanë kërkuar që të mos nxjerrin kandidatë për kryetarë bashkie, në mënyrë që PD të dalë me kandidatë unikë. Kryesia ka propozuar dy kandidatura për Bashkinë e Tiranës, Jonila Godolen dhe Roland Bejkon.

Deputetja Jorida Tabaku thotë se PD duhet të dalë me një kandidat dhe të nxjerrin vetëm kandidatë për këshilltarë bashkie. Në mbledhje, Tabaku ka thënë se nuk u kërkon demokratëve votën kundër kolegëve të saj.

“Opozita duhet të dalë me kandidatë unikë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që ne të bëjmë betejë kundër nesh. Nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër kolegëve të mi”, ka thënë Tabaku.

Të njëjtin qëndrim si Tabaku kanë mbajtur edhe deputetët Dhurata Çupi, Dash Sula, Saimir Korreshi, Bledio Nallbati apo edhe Gazment Bardhi. Demokratja Çupi është shprehur se nëse dalin me kandidatë për bashkitë rrezikon që PD të zvogëlohet akoma edhe më shumë.

“Ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajse gjysmë për gjysmë kemi rrezikun që të ndahemi edhe një here e mund të zvogëlohemi përsëri”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, deputetë si Oriola Pampuri dhe Arbi Agalliu, e Kreshnik Çollaku kërkojnë të dilet me kandidatë.