Rajoni

Mbi 300 dëshmitarë në gjyqin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit!

Mbi 300 dëshmitarë janë siguruar deri tani nga Prokuroria Speciale e Kosovës në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi.

Në gjykim do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet. Duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave, deri  në fund të vitit 2024 apo fillimit të 2025-ës, që të ketë proces të drejtë gjyqësor.

Por, mbrojtja kërkon që procesi të mos zgjasë pafund dhe nga gjykata në Hagë, pret që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

Prokuroria ka mungesë të qartë fokusi në mënyrën si është paraqitur rasti. Të gjithë vijmë të pika që në fund do të kemi një material shumë të gjerë, që askush nuk e di sa i rëndësishëm është. Avantazhi i prokurorisë është që në këtë mënyrë e shtyn çështjen, duke futur sa më shumë materiale në proces.

Për nisjen e procesit gjyqësor ende nuk ka një datë të saktë, edhe pse në disa raste është përmendur fillimi i muajit mars. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020, pasi akuzohen për krime lufte e kundër njerëzimit. Që të katërt janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Europës, të vitit 2011, me autor senatorin zviceran, Dick Marty. Gjykata e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, vepron në Hagë të Holandës. Të parin dënim për krime lufte e dha në dhjetor të vitit të kaluar.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burg për vrasje, ndalim arbitrar dhe torturë. I njohur si “komandant Cali”, ka qenë drejtues i njësitit gueril BIA, brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.