Bota

Mbi 4 milionë viktima nga koronavirusi në nivel global!

Kaloi shifrën 4 milionë numri i vdekjeve nga koronavirusi në botë. Në shumë vende vijojnë përpjekjet për të siguruar mjaftueshëm vaksina në kohën kur Delta po bëhet variant dominues në nivel global.  Sipas një analize të agjencisë së lajmeve “Reuters”, pas 2 milionë vdekjeve të para në një vit, për më shumë se 5 muaj edhe 2 milionë njerëz ndërruan jetë nga COVID-i.

Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika kanë rreth 50% të të gjitha vdekjeve në botë ndërsa Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke e Gjibraltari, nivelin më të lartë të vdekjeve në raport me numrin e popullsisë.

Në Amerikën Latine, vendet po përballen me shpërthimin më të keq që nga marsi. 9 vendet kryesore që raportuan më shumë vdekje për frymë gjatë javës së fundit ishin të gjitha në Amerikën Latine.

Në Bolivi, Kili dhe Uruguai ka një rritje të numrit të pacientëve në grupmoshën 25-40/vjeç. Në Sao Paulo të Brazilit, 80% e pacientëve në terapi intensive janë me COVID-19.

Shtimi i vdekjeve po ul kapacitetin operativ të krematoriumeve në vendet në zhvillim dhe varrezat në disa shtete janë detyruar të zgjerojnë zonat. Shumë ekspertë të shëndetësisë besojnë se numri zyrtar i viktimave duhet të jetë më i lartë.  Javën e kaluar, shteti indian i Biharit rriti ndjeshëm numrin e vdekjeve nga COVID-19 pas zbulimit të mijëra rasteve që nuk ishin raportuar, duke i dhënë zë shqetësimeve se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Indi është dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare.

Ndërsa vendet e varfëra kanë vështirësi të vaksinojnë popullsitë e tyre për shkak të mungesës së vaksinave, atyre më të pasura iu kërkohet të dhurojnë më shumë furnizime për të kontrolluar pandeminë.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G7 u zotua të sigurojë 1 miliard doza vaksinash kundër koronavirusit për të ndihmuar vendet e varfëra në procesin e vaksinimit.