Numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian, si dhe në Norvegji e në Zvicër ra në gjysmën e parë të këtij viti, por vazhdon të mbetet në mbi gjysmë milion. Të dhënat e reja të Agjencisë së BE-së për Azilin (EUAA) tregojnë për 513 mijë aplikime të reja nga janari deri në fund të qershorit, që do të thotë 6 mijë më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Statistikat përfshijnë shifra nga të gjitha vendet e BE-së, ashtu si dhe nga Norvegjia e Zvicra, të cilat nuk janë pjesë e bllokut. Më shumë aplikime u regjistruan në Gjermani, përkatësisht 124 mijë e që llogaritet sa gati një e katërta e numrit të përgjithshëm.
Deri në fund të këtij viti, EUAA pret më shumë se një milion aplikime në të gjithë rajonin. Sipas të dhënave të saj, rreth 71 mijë azilkërkues u regjistruan nga Siria, ndërsa afro 45 mijë nga Afganistani e 37 mijë nga Venezuela.
Shifrat nuk përfshijnë rreth 4.5 milion njerëz nga Ukraina që kanë kërkuar strehim në BE dhe kanë marrë mbrojtje të përkohshme që kur Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tyre në shkurt të vitit 2022.
Në BE, jo të gjitha vendet duan të jenë joshëse për azilkërkuesit. Holanda pritet që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kjo në mënyrë që të kufizojë numrin e azilkërkuesve që hyjnë në këtë shtet, duke e bërë atë “sa më pak tërheqës që është e mundur” për emigrantët.
Ministrja për Azilin, Marjolein Faber, e cila përfaqëson krahun e të djathtës, vuri në dukje se një masë e tillë i mundëson qeverisë holandeze që të pezullojë “shumë shpejt” disa pjesë të ligjeve për azilin. Sipas zyrtares, Holanda do të ketë rregulloret më të “ashpra” në Europë për azil dhe emigrim e do të zbatojë kontrolle të rrepta kufitare.
Faber planifikon që të kufizojë bashkimet familjare, si dhe të rrisë numrin e personave që dëbohen nga shteti nëse kanë kryer shkelje. Po ashtu refuzimin e azilit e zvogëlimin e mundësive për të apeluar këtë vendim nëpër gjykata.
Qeveria holandeze synon të dërgojë një kërkesë në Komisionin Europian, që të mund të lejohet të devijojë prej politikave të Bashkimit Europian për azilin dhe emigracionin.
Eshtë koha për ndryshim drastik të kursit, tha Faber. Ne jemi duke marrë masa për ta bërë Holandën sa më pak tërheqëse që është e mundur për azilkërkuesit.
Vlerësohet se në Holandë shkonë rreth 40 mijë azilkërkues çdo vit. Rregulla më të ashpra për emigrantët nga Gjermania. Dy muaj më parë, Finlanda miratoi ligjin për dëbimin e emigrantëve.
Ndërkaq, Britania e Madhe ka ndryshuar ligjin që i jep përparësi kërkesave për azil nga shqiptarët.