Bota

Mbi 500 milion dollarë grante për Ukraninën nga SHBA e Britania!

Ukraina pranoi thuajse 530 milion dollarë grante nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, nga fondi i krijuar në Bankën Botërore e ku mund të bëhen donacione për Qeverinë e Kievit, pas nisjes së pushtimit rus.

SHBA-të kanë dhuruar afro 500 milion dollarë, ndërsa Britania 24 milion të tjera, që tashmë janë në Ukrainë. Këto fonde do të përdoren për shpenzimet urgjente humanitare dhe shëndetësore. Po ashtu, për të mbështetur qytetarët e zhvendosur brenda vendit.

Një ditë më parë, Senati Amerikan miratoi rreth 40 miliard dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa grupi i shtatë vendeve më të industrializuara, G7 ra dakord që t’i ofrojë Kievit mbi 18 miliard dollarë fonde. Shtetet e Bashkuara, Britania e të tjera vende, përveç ndihmës financiare i kanë ofruar Ukrainës edhe asistencë ushtarake, për t’iu kundërpërgjigjur pushtimit që Rusia nisi më 24 shkurt.

Nga të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike raporton se “thuajse 1 mijë e 700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol”. Një ditë më parë, Rusia informoi për 1 mijë e 730 ushtarë ukrainas të “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina kërkon të shkëmbejë të burgosurit, por nuk jep detaje.

Presidenti Zelensky bisedoi me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për një sërë çështjesh, përfshirë ndihmën financiare për ekonominë e shkatërruar ukrainase, eksportet bujqësore dhe evakuimin nga Azovstali. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq po regjistron luftëtarët ukrainas të larguar nga Azovstali si të burgosur lufte. Ata janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës, por që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende nuk është i qartë numri i ushtarëve që vazhdojnë të gjenden në fabrikë, ndërsa qyteti i Mariupolit kontrollohet nga rusët.

Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina i urdhëroi që të dorëzonin armët e të largoheshin nga fabrika. Kombet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia e Ukraina të bashkëpunojnë, për t’i dhënë fund rrethimit e mundësuar evakuimin.