Rajoni

Mbi gjysma e komunave të Kosovës në balotazh/ Vetëvendosje nuk fitoi asnjë!

21 nga 38 komuna shkojnë në balotazh në Kosovë. Ky është rezultati paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë e për të do të ketë balotazh në 12 të tilla. Në raundin e parë u zgjodhën vetëm 17 kryekomunarë.

Në Prishtinë, kandidati i LVV-së, Arben Vitia do të përballet me të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili doli i dyti në zgjedhjet e djeshme. Balotazh për partinë e kryeministrit Kurti do të ketë edhe në Gjakovë, Prizren, Shtime, Podujevë, Gjilan, Fushë-Kosovë, Viti, Obiliq, Kamenicë, Rahovec e Kaçanik. Sa i përket Partisë Demokratike në opozitë, pa balotazh fitoi 4 komuna: Mitrovicën e Jugut, Ferizajn, Skënderajn e Hanin e Elezit. Raund të dytë nuk do të ketë për LDK-në në Pejë e Lipjan ndërsa për AAK-në, në Deçan e Suharekë, pasi i fituan që dje.

Fitore bindëse për Listën Serbe. Partia e mbështetur nga Beogradi zyrtar fitoi numrin më të madh të komunave me shumicë serbe në zgjedhjet vendore në Kosovë, 9 të tilla. Lista Serbe fitoi në Leposaviç, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug e Partesh. Ndërkaq është në balotazh me Nismën Qytetare SNS vetëm në Kllokot. Në balotazh shkon edhe komuna e banuar me shumicë turke, Mamusha. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 43% disi më e ulët krahasuar me të 2017-ës kur rezultoi 43.5%.

Komunat që shkojnë në balotazh: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemorate-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK), Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës – KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe-Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV), Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV), Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).