Aktualitet

Mbipesha ndikon në numrin e vdekjeve nga koronavirusi!

Një studim i Federatës Botërore të Obezitetit konstaton lidhje të fortë mes peshës trupore e gjasave për infektim më të rëndë nga COVID-19. Nga 2.5 milionë vdekje nga COVID-19 të raportuara deri në fund të muajit të kaluar, 2.2 milionë ishin në vendet ku mbi 50% e banorëve klasifikohen si obezë.

Autorët e studimit thanë se nuk ka shembuj shtetesh me normë mbipeshe përgjithësisht të ulët e numër të lartë viktimash nga koronavirusi. Por raporti thekson se niveli i vdekjeve nga koronavirusi gjithashtu ndikohet nga faktorë si mosha e shpejtësia e përhapjes së virusit në një vend të caktuar.

Drejtoresha e Shkencës dhe Programeve të Federatës Botërore të Obezitetit, Olivia Barata Cavalcanti u shpreh:

Njerëzit obezë vuajnë sepse nuk kanë mundësi të marrin trajtimin e tyre, ata nuk mund t’u nënshtrohen operacioneve dhe kanë probleme për t’u vizituar nga mjekët e tyre.

Tim Lobstein ekspert pranë Federatës Botërore të Obezitetit një nga bashkëdrejtuesit e studimit tha:

Vende si Japonia dhe Koreja e Jugut që kanë nivele shumë të ulëta vdekjesh nga COVID-19, janë vende që kanë dhe nivele shumë të ulëta të mbipeshës tek të rriturit. Ne i kemi dhënë përparësi shëndetit publik përkrah një sërë masave të tjera, përfshirë peshën e popullsisë dhe kjo ka dhënë rezultate në pandemi

Autorët pranuan që nivelet e vdekjeve nga COVID-19 ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, për shembull pasuria relative e një vendi, struktura e moshës dhe shpejtësia e përhapjes së virusit në vend.