Aktualitet Rajoni

Mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, Rama: “Nuk ka çështje të hapura mes meje e Kurtit!”

Nga Prishtina, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk ka çështje të hapura mes tij dhe homologut Albin Kurti”. Në nisje të fjalës në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, falënderoi Kurtin për mundësinë.

Ishte një qen aty që lehte para se të fillonin himnet, por pas këndimit të himneve edhe qeni nuk lehu më, çka, mbase, jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve që kërkojnë vazhdimisht të fusin xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla sepse ne jemi shumë të hapur dhe çështje për të cilat nuk merremi vesh, kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti deklaroi se 93% e marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e fundit mes dy qeverive, janë në zbatim.

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar. Eshtë gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në të gjithë rajonin sigurohet duke zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia në fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike, mban pezull mosbesimin reciprok social.

Kurti vuri në dukje se po punohet për vënien në zbatim edhe të marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite.

Nga 127 marrëveshje të nënshkruara, vetëm 75 ose 59% e tyre janë në zbatim, që është shumë pak, krahasuar me realizimin në nivelin 93% të marrëveshjeve të firmosura para 6 muajsh.

Ndërkohë, kryeministri Rama veçoi si domethënës faktin që “investimet e Kosovës në Shqipëri nga 9 milion euro në vitin 2017, arritën në 139 milion euro në vitin 2021”.

Po ashtu, Rama informoi se tashmë ka përfunduar faza e parë për abetaren e unifikuar, ndërsa shprehu besimin se kjo abetare do të shkojë te të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi e diasporë. Ndër të tjera, shefi i qeverisë shqiptare propozoi sot, që në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizohet në nëntor Kuvendi i parë i përbashkët me të dyja parlamentet, të Shqipërisë e Kosovës.

Mes marrëveshjeve, ajo për pranimin reciprok të studentëve duke bërë që të rinj nga Shqipëria dhe Kosova do të ketë qasje të barabartë në 19 universitete nga Gjirokastra, deri në Mitrovicë. Një tjetër marrëveshje mundëson që qytetarë nga Kosova e Shqipëria do të kalojnë në pikat kufitare të dy vendeve, pa qenë nevoja të regjistrohen. Pas prezantimit nga ministrat përkatës, marrëveshjet do të firmosen mes palëve.