Aktualitet Politikë

Mbledhja e grupit demokrat, Berisha kërkon largimin e Alibeajt!

Nën drejtimin e kryetarit Enkelejd Alibeaj prej orës 13:00 është mbledhur grupi parlamentar demokrat ku Sali Berisha është i pranishëm, por jo Lulzim Basha e shtatë deputetët Grida Duma, Agron Gjekmarkaj, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Këlliçi, Dash Sula e Ferdinand Xhaferri.

Në fokus të bisedimeve, diskutimi mbi procesin zgjedhor që Komisioni i Rithemelimit po kryen në bazën e demokratëve me qëllim riorganizimin e strukturave, si dhe debatet e përplasjet brenda kësaj partie që nga koha kur Berisha u përjashtua nga grupi demokrat, shtatorin e kaluar. Ish-kryeministri kërkoi largimin e Alibeajt:

Ke bërë padi ndaj Partisë Demokratike në gjykatë, pa asnjë tagër. Ke paditur një proces që demokratët e kanë pranuar. Edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim po bën presion ndaj gjykatës. Përbashkimi i PD-së ka pasur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë në bazë si dhe te deputetët për të zhbërë një periudhë të shkurtër përçarjeje.

Berisha deklaroi se “Lulzim Basha dha dorëheqjen, ndërsa mbi vete mbarte disa të vërteta të hidhura, si ajo me dosjen ruse”.

Ndërkohë, para nisjes së mbledhjes së grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj iu përgjigj akuzave që vijnë nga Paraguaji se mbështetet dhe financohet nga një person i fuqishëm. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Alibeaj i cilësoi “fantazi e sëmurë” dhe “histori shpifjesh e trillimesh”.

Duhet të jetë fantazi e sëmurë që përmendet Paraguaji. Eshtë një histori shpifjesh dhe trillimesh. Duhet të mësohen me faktin që mund të ketë politikanë të pakorruptuar e të pashantazhueshëm.