Aktualitet Politikë

Mbledhjet e komisioneve parlamentare, me prani fizike!

Konferenca e Kryetarëve miratoi sot zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit duke respektuar distancimin fizik të deputetëve dhe masat e tjera mbrojtëse anti-COVID.

Konferenca e Kryetarëve vendosi që për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve, deputeti duhet të dorëzojë pranë sekretarisë së komisionit certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ të kryer jo më vone se 48 orë përpara fillimit të mbledhjes. Po ashtu, u vendos që me dakordësinë e Kryesisë së Komisionit Parlamentar, mbledhjet mund të zhvillohen edhe në distancë nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, me terminal të pavarur deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për mbështetjen me burime njerezore dhe logjistike të nevojshme për të siguruar zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe marrjen e masave mbrojtëse të nevojshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Ndërkaq, Taulant Balla deklaroi sot se do të nisë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës së komisioneve hetimore të kërkuara prej saj, për të arritur një konsensus për atë që është propozuar. Kreu i grupit socialist u shpreh se “këto komisione janë instrument në duart e Kuvendit e natyrshëm edhe të opozitës, për të hetuar çështje që pikësëpari kanë interes publik”. Por sipas tij, “objekti i hetimit dhe puna e tyre rregullohet nga një ligj i posaçëm”.