Pas takimit informal me kabinetin qeveritar në Dajt, kryeminisitri Rama ka mbledhur, këtë herë në Elbasan, edhe deputetët socialistë, të cilët nuk do t’i shpëtojnë një analize performace e as porosive në këtë sesion parlamentar, në prag viti elektoral.
Punimet nisën rreth orës 10:00 dhe takimi do të ndahet në tre pjesë. Fjalën hapëse e ka Niko Peleshi, si kreu i grupit parlamentar i cili do të flasë për ‘Sfidat e Sesionit Parlamentar’. Më pas do të flasë kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, dhe pas saj fjalën do të marrë Taulant Balla, ministër i Shtetit me Parlamentin.
Në pjesën e parë deputetet do të njihen me punën e bërë deri më tani nga komisionet e posaçme të “Antikorrupsionit” dhe “Dezinformimit”, dy nga nismat më të fundit të mazhorancës. Dy kryetarët e komisioneve Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe jo vetëm do të analizojnë punën por do të njohin kolegët e tyre edhe me objektivat dhe ecurinë e komisioneve në vazhdimësi.
Pjesa e dytë do të fokusohet tek strategjia e re e komunikimit publik që duhet të ndjekin deputetët me zgjedhësit, punën në parlament dhe mesazhet publike deri në zgjedhjet parlamentare. “Trajnimi” i deputetëve për komunikimin do të mbahet nga zyra e shtypit të Partisë Socialiste për koordinimin e mesazheve dhe rritjen e komunikimit publik, edhe përmes rrjeteve sociale.
Një hapësirë e posaçme do t’i kushtohet edhe çështjeve të integrimit. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka do të njohë deputetët me ecurinë e procesit të integrimit europian, proces i cili kërkon ndërveprim eficent edhe me parlamentin e qeverinë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.
Ndërsa pjesa e tretë do t’i dedikohet mesazhit të kryeministrit Rama i cili pritet t’i bashkohet tryezës së punës rreth orës 14:00 të së sotme.
“Komunikimi” ishte në fokus edhe të retrat-it që kryeministri Rama mbajti me kabinetin në rezidencën qeveritare në Dajt. Strategjia e re e komunikimit i shërben punës që socialistët duhet të bëjnë për zgjedhjet e pranverës 2025-ës, në përmbushje të objektivit të tyre madhor, fitores së një mandati të katërt qeverisës.