Politikë

Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, pritet të diskutohet për riorganizimin e partisë

 

Grupi parlamentar i PD-së është mbledhur sot pas seancës së Kuvendit. Aktualisht, deputetët po ndjekin zhvillimet e rendit të ditës dhe më pas po në godinën e parlamentit do të zhvillohet mbledhja e thirrur nga Gazment Bardhi për të diskutuar mbi situatën politike në vend por edhe vetë PD.

Deputetët pritet të shpalosin propozime të caktuara sa i përket riorganizimit të partisë si edhe zgjedhjes së kreut të ri. Deri më tani, thuhet se Lulzim Basha është një ndër emrat që do të kandidojë për të rimarrë sërish drejtimin e partisë.

Në mbledhje janë të pranishëm 15 deputetë.

Diskutimi kryesor pritet të jetë pikërisht hapja e garës për këtë të fundit në një kohë kur ekipi drejtues i PD është i ndarë në 2 qëndrime kryesore, i pari që PD të futet në garën për kryetarin sa më shpejt, duke vulosur përfundimisht ndarjen me PD e Rithemelimit, që vijon të drejtohet nga Sali Berisha edhe pse KQZ nuk e legjitimoi si kryetar.

Grupi tjetër, kërkon më shumë kohë për këtë proces, duke kërkuar fillimisht kohën e nevojshme të reflektimit dhe lënies hapësirë për të tjera negociata bashkimi me PD e Rithemeluar, e më tej drejtimin përmes një organi kolegjial të dy PD-ve deri në zgjedhjen e kreut të ri. Të tillë deputetë janë: Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Ferdinand Xhaferraj por edhe nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila ende nuk është shprehur nëse do të pranojë rolin e kryetares së komanduar.

Por, ky skenar duket i vështirë sa kohë asnjëra nga palët nuk po bën përpjekje konkrete për bashkimin, edhe pas humbjes së thellë më 14 maj, e kur Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i demokratëve që e mbështesin.

Paralel me këto zhvillime Lulzim Basha ka nisur turin e rikthimit, me takime në çdo qytet, që shihet si fushata e tij për kthimin në krye të PD. Rikandidimin për kryetar ai nuk e mohuar asnjëherë, megjithatë ish kreu demokrat ka shqiptuar në çdo dalje të tij se PD nuk mund të mbetet peng i problemeve të Sali Berishës duke kërkuar ndarjen përfundimtare të demokratëve me ish-liderin e shpallur non grata nga SHBA.

Deputetët e pranishëm:

Arbi Agalliu
Xhelal Mziu
Qani Xhafa
Dhurata Cupi
Helidon Bushati
Ferdinand Xhaferri
Bledjon Nallbati
Zheni Gjergji
Lefter Geshtenja
Saimir Korreshi
Andia Ulliri
Ramadan Likaj
Gazment Bardhi
Flamur Hoxha
Dash Sula
Flutura Açka
Kreshnik Çollaku
Jorida Tabaku