Aktualitet

Varianti Delta qarkullon në 10 bashki të vendit/ Masat anti-COVID nuk ndryshojnë!

Një ditë pasi u konfirmua prania në vendin tonë e variantit Delta të koronavirusit, Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh sot dhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri të ditur përhapjen e këtij varianti të njohur për transmetueshmërinë e lartë.

Në vend ka një rritje të lehtë të numrave të rasteve të reja ditore dhe incidencës një javore. Por pavarësisht kësaj, vendi vazhdon të mbetet në situatë të qëndrueshme epidemiologjike. Në rajon, Europë dhe botë vihet re rritje e konsiderueshme e rasteve të reja. Siç u bë e ditur, në Shqipëri është vërtetuar zyrtarisht dyshimi për praninë e variantit Delta!

Ndërsa dje u konfirmua prania e Deltës në vendin tonë pavarësisht se dyshimet ishin por pritej rezultati i analizave në Gjermani, sot u mësua se janë 10 bashki ku evidentohet qarkullimi i variantit shqetësues. Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico:

Varianti Delta u konfirmua në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Peqin, Mat dhe Vlorë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve lë në fuqi masat ekzistuese anti-COVID. Zv.ministrja Rakacolli:

Pavarësisht se është vërtetuar dyshimi i  fortë për prezencën e variantit Delta, niveli i masave nuk ndryshon. Masat do të jenë po ato të cilat kanë qenë më parë!

Gjithashtu, Rakacolli u shpreh se deri tani nuk planifikojnë vaksinim të detyruar anti-COVID për të rinjtë.

Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjeku Dhimitër Kraja njoftoi se te Infektivi janë shtruar 9 pacientë, nga të cilët vetëm njëri ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID.

Gjendja e tyre e përgjithshme është e kënaqshme. Nuk janë pacientë që janë vaksinuar më parë apo që kanë kaluar sëmundjen, me përjashtim të një rasti, i cili ka bërë vetëm një dozë të vaksinës dhe nuk e ka bërë të dytën. Mosha e të sëmurëve vijojnë të jetë mbi 69 deri në 72-vjeç. Situata është e mirë, nuk kemi patur raste shumë të rënda apo vdekje dhe pavarësisht rritjes së rasteve, kjo nuk reflektohet me forma të rënda apo vdekjeprurëse.