Aktualitet

Mbrëmja rikthen kthjellimet në vend/Në Qafë Thore ra ortek!

Autoriteti Rrugor Shqiptar informon sot mbi situatën e akseve, në kushtet e motit me reshje të intensitetit të ulët, që ka përfshirë vendin. ARRSH siguron se grupet e punës, me mjete dhe punëtorë janë në çdo rrugë kombëtare, për të siguruar qarkullim normal.

Në njoftimin zyrtar të Autoritetit thuhet:

Në akset: Spot-Kam, Valbonë, Qafë Bualli-fillimi i Rrugës së Arbrit, Vau Dejës-Qafë Qelë ka pasur rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës, të cilat janë pastruar nga kontraktori i mirëmbajtjes. Po ashtu, në Qafë Thore, në zonën e tuneleve, si pasojë e erës së fortë ka pasur rënie të një orteku dhe po punohet për hapjen e këtij segmenti.

Sa i përket parashikimit të motit, dita e sotme ka nisur me vranësira dhe shira në pjesën më të madhe të vendit, ku më të dukshëm shirat paraqiten përgjatë vijës bregdetare. Herë pas here, aty ka rrebeshe të shoqëruara me mini-stuhi të forta ere. Në zonat e thella malore nuk mungojnë reshje të izoluara dëbore.

Por sipas shërbimit MeteoAlb, në orët e vona të mbrëmjes do të ketë përmirësim të dukshëm të kushteve atmosferike duke bërë që vranësira të lehta e kthjellime, të dominojnë në të gjithë vendin. Kthjellimet do të në shoqërojnë edhe gjatë ditës së nesërme, me përjashtim të vranësirave në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore të territorit shqiptar.

Temperaturat sot luhaten në vlerat ditore nga 1 deri në 14 gradë celcius. Era fryn mesatare deri e fortë me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi Jugor-Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare, dallgëzim mbi 3 ballë. Nesër, temperaturat pritet të variojnë nga 0 në 16 gradë celcius. Dallgëzimi në brigjet detare do të jetë mbi 2 ballë.