Bota

Mbretëresha Elizabetë, e shtruar një natë në spital!

Mbretëresha Elizabeta e Dytë kaloi natën e së mërkurës në spital për “kontrolle paraprake” pasi anuloi vizitën në Irlandën e Veriut. Konfirmimi vjen nga Pallati Buckingham në Londër.

Më herët, monarkja 95-vjeçare anuloi udhëtimin e planifikuar për të mërkurën dhe të enjten, për të pushuar për disa ditë në Kështjellën Windsor, ku u kthye dje në drekë.

Mbretëresha u vizitua nga mjekë specialistë në spitalin privat “King Edward i VII-të”, në qendër të Londrës. Shtrimi nuk besohet të ketë patur lidhje me një infektim të mundshëm nga koronavirusi.

Pasi u këshillua nga mjekët të pushonte disa ditë, si rezultat i axhendës së ngjeshur me angazhime publike, për disa orë, Madhëria e Saj iu nënshtrua kontrolleve mjekësore, por që nuk saktësohet lloji i tyre.

Në një deklaratë të shkurtër të Pallatit Mbretëror, thuhet:

Pas këshillës mjekësore për të pushuar disa ditë, Mbretëresha hyri në spital të mërkurën paradite, për t’iu nënshtruar kontrolleve paraprake. Në orarin e drekës u kthye në Kështjellën Windsor e është në gjendje të mirë.

Sipas mediave britanike, Mbretëresha u shtrua për pak kohë, për “arsye praktike”, që të kryente kontrolle e analiza të nevojshme. Tashmë, Elizabeta e Dytë i është rikthyer tryezës së punës, për t’iu kushtuar angazhimeve institucionale, jo shumë impenjative.