Celebrities Showbiz

Mbretëresha Elizabeth “kokë për kokë” me miliarderët më të mëdhenj të botës!

Mbretëresha e Britanisë, Elizabetë së fundmi ka organizuar një pritje plot stil dhe luks në kështjellën Windsor për miliarderët më të mëdhenj të botës, të dërguarit e presidentëve apo sipërmarrësit e teknologjisë, të cilët morën pjesë në samitin e organizuar nga qeveria britanike për çështjen e investimeve.

Madhëria e saj u shfaq në një formë të shkëlqyer, e veshur me një xhaketë gurkali, të shoqëruara me këpucë të zeza dhe vëth e gjerdan me perla. Mes të ftuarve, shquheshin miliarderi Bill Gates, i dërguari i SHBA për klimën, John Kerry, shefi ekzekutiv i firmës së sigurisë kibernetike, “Darktrace”, Poppy Gustafsson, etj.

Kryeministri britanik, Boris Johnson duhet të ishte i pari në këtë pritje, por ai u shfaq pasi Mbretëresha kishte nisur të takohej vetë me të ftuarit. Në fjalën përshëndetëse të broshurës së Samitit të Investimeve Globale, Mbretëresha shkruan se është shumë krenare për mënyrën se si Mbretëria e Bashkuar po ecën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por thekson se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Mbretëresha gjithashtu iu bën thirrje kombeve që të përballen me sfidën dhe të shmangin problemet që lidhen me ndryshimin e klimës.

Rikujtojmë, se madhëria e saj ka kritikuar ashpër udhëheqësit botërorë në lidhje me trajtimin e krizës klimatike, duke pranuar se ajo është e irrituar nga individët që flasin, por nuk bëjnë asgjë. Këto deklarata, Mbretëresha i bëri në hapjen e parlamentit Uellsian në Cardiff. Gjatë një bisede me Dukeshën e Cornwall dhe Elin Jones, Mbretëresha iu referua samitit të klimës Cop26 në Glasgow që fillon më 31 tetor, të cilin ajo është planifikuar të marrë pjesë së bashku me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore.

Gjithashtu së fundmi, Mbretëresha Elizabeth ka refuzuar çmimin e rrallë me shumë mirësjellje dhe vendosmëri njëkohësisht, pasi besonte se nuk i plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme. Bëhet fjalë për çmimin “The Oldie of the Year”, dhe 95-vjeçarja e refuzoi atë me argumentin se secili është aq sa ndihet.