Sport

Mbyllet java e 17-të e Superligës, ja rezultatet!

Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi këtë të dielë dy nga ndeshjet e mbetura për javën e 17-të. Në 13:00 në “Kukës Arena”, vendasit e Rraman Hallaçit humbën 0-2 me Erzenin, teksa verilindorët abonohen me vendin e fundit në klasifikim. Në orën 16:00 në “Niko Dovana”, Teuta dhe Egnatia barazuan 1-1.

Kukësi humbi 0-2 me Erzenin në “Kukës Arena”. Ndeshja e javës së 17-të në Superligë u vendos nga golat e Alan dhe Patrick Nonato, teksa më herët te vendasit gaboi nga pika e penalltisë Basa. Dueli nisi mirë për djemtë e Hallaçit, me Basën që shpërdoroi rastin më të mirë të ndeshjes duke goditur shtyllën e djathtë pingule nga penalltia. Pas këtij rasti, Erzeni ia doli që në një aksion të shënonte me Alan në fundin e pjesës së parë (45+2′). Kur pritej që vendasit të barazonin, Nonato në minutën e 62 shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për Erzenin e Kapllanit. Shijakasit tanimë janë skuadra për t’u mundur dhe nuk mund të quhen më një surprizë. Me këtë fitore Erzeni shkon në kuotën e 26 pikëve në vendin e katërt, teksa Kukësi me 16 pikë mban vendin e fundit në klasifikim.

Teuta dhe Egnatia barazuan 1-1 për javën e 17-të në “Niko Dovana”. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, me skuadrat që ndajnë pikët. Miqtë e Shpëtim Duros shënuan të parët me anë të Dwamena në minutën e 51 të ndeshjes. Sherif Kallaku vendosi ekuilibrat në minutën e 70 nga pika e bardhë e penalltisë, me fantazistin që rikthehet me gol te Teuta. Egnatia me 26 pikë mban vendin e katërt, teksa Teuta me 18 pikë në vendin e tetë. Pas javës së 17-të, Tirana kryeson me 31 pikë renditjen, ndjekur nga Partizani dhe Vllaznia. Teuta, Bylis dhe Kukësi janë në zonën e ftohtë.