Sport

Mbyllet java e 30 e Superiores, ja rezultatet e 3 sfidave të sotme!

Tirana-Kastrioti 0-1

Fitoret e Kastriotit edhe ndaj skuadrave më të mira të Abissnet Superiores nuk përbëjnë më lajm. Krutanët mposhtën në “Selman Stërmasi” Tiranën, me një supergol të Onanugës në minutën e 16-të, duke marrë një fitore që praktikisht jo vetëm e nxjerr nga gara e mbijetesës, por e afron me zonën europiane, pasi me 40 pikë të grumbullua është shumë pranë Vllaznisë dhe Partizanit. Një katapultim i tillë në renditje vjen pas një ecurie të pabesueshme prej 6 fitoresh radhazi. Nga ana tjetër, Tirana thjesht mund të ketë shtyrë festën e titullit, pasi në Laç, javën e ardhshme do t’i mjaftoi edhe barazimi për t’u shpallur kampion.

Skënderbeu-Egnatia 0-1

Skënderbeu dështon edhe përballë Egnatias, dhe tani vetëm matematika mban akoma në lojë për të mbijetuar ekipin korçar. 0-1 përfundoi sfida e luajtur në Korçë, me djemtë e Zekirija Ramadanit që arritën një fitore tepër të rëndësishme falë perlës së Demir Imerit.

17 ndeshjet radhazi për Skënderbeun e vendit të fundit, që ndodhet 13 pikë larg vendin të tetë, që mbahet nga Egnatia. Fitorja ishte alternativa e vetme për vendasit, të cilët e nisën ndeshjen në sulm.

Mara dhe Sadriu dhanë sinjalet e para, por ndeshja ndryshoi pas gjysmë ore lojë. Elvi Berisha kreu një ndërhyrje të rëndë ndaj Jackson. Kryesori Meta e ndëshkoi me të verdhë sulmuesin e Skënderbeut, por pasi pa ndërhyrjen në VAR i dhuroi të kuqin.

Dinamo-Teuta 0-1

Dinamo bie sërish, këtë herë ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, ku u mposht me rezultatin minimal 0-1 dhe regjistroi humbjen e 6 radhazi në kampionat, teksa shpresat për mbijetesë tashmë i mban gjallë vetëm matematika.

Kryeqytetasit u shfaqën sërish e njëjta skuadër apatike, thuajse si gjithmonë gjatë vitit 2022 dhe bënë shumë pak ndaj durrsakëve, të cilët gjithashtu nuk shkëlqyen, por u shpërblyen nga fati dhe morën tri pikët.

Gardiani Simon Simoni, një nga pikat më të forta të bluve të kryeqytetit këtë sezon, “tradhtoi’ të tijtë pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, pasi shfaqi besim të tepruar në menaxhimin e një pasimi dhe nga kjo situatë përfitoi Rubin Hebaj, që i rrëmbeu topin dhe e dërgoi në rrjetë.

Nga ana tjetër, ishte pikërisht 17-vjeçari Simoni që bëri goditjen e vetme në portë për Dinamon, pikërisht në minutat shtesë, kur provoi me një roveshiatë, por nuk arriti të shijojë kënaqësinë e golit.

Me humbjen e sotme, Dinamo mbetet në kuotën e 23 pikëve, 11 pikë larg Egnatias në zonën Play Off, kur kanë mbetur edhe 18 në lojë, ndërsa Teuta ngjitet në kuotën e 36 pikëve, por mbetet e rrezikuar ende.