Aktualitet

Mbyllet për 24 orë pika kufitare e Kakavijës

Për 24 orë, pika e kalimit kufitar të Kakavijës do të qëndrojë e mbyllur për shkak të një greve të punonjësve grekë. Ata kërkojnë rritje të pagës, pagesën e orëve shtesë si edhe plotësim të kushteve të punës.

Kakavija do të jetë e mbyllur nga nesër, 24 nëntor ora 07:00 deri më 25 nëntor 07:00 me orën lokale të Greqisë. Në këtë hark kohor nuk do të lejohen të kalojnë automjete si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.