Sport

Zhgënjen Shqipëria, mposhtet në transfertën polake!

Në Varshavë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit dështoi në përpjekjet për t’i rrëmbyer Polonisë një fitore e ndeshja përfundoi 4-1 pasi pësuam 4 gola. Takimi ishte i vlefshëm për grupin e parë të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” dhe për kuqezinjtë përbën humbjen e dytë në grup. Pas 4 ndeshjesh, Shqipëria numëron 6 pikë e ndodhet në vendin e katërt.

Në 10 minutat e para u ndëshkuan me kartonë të verdhë Abrashi, Bare e Hysaj, me këta dy të fundit që nuk do të luajnë në sfidën ndaj Hungarisë tri ditë më vonë në “Elbasan Arena”.

Në minutën e 12’-të vendasit fituan një goditje dënimi dhe pas një topi në zonë pa shumë pretendime, Kamil Glik u harrua nga Manaj në shtyllën e dytë e shërbeu saktë për Lewandowskin, që u gjend në vendin e duhur për të shtyrë sferën në rrjetën e portës së Berishës.

Goli zgjoi kuqezinjtë, që morën kontrollin e lojës dhe pas disa zbritjeve radhazi, arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 25-të. Sokol Cikalleshi lëvizi bukur drejt zonës dhe po kaq bukur shërbeu edhe Gjasula, teksa bomberi kavajas u koordinua saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Minutat e mira për kuqezinjtë vijojnë, pasi më vonë Szczesny bën një pritje të bukur në gjuajtjen ndaj Manajt, ndërsa reflekset e portierit polak i provojnë edhe futbollistë të tjerë, por pa rezultat.

Në momentin më të mirë të kuqezinjve, vjen një goditje këndi për polakët dhe në zonën kuqezi ka sërish mungesë përqendrimi e gabim në vendosje, nga e cila përfiton mjaft mirë Buksa, që shënoi edhe golin e dytë.

Pjesa e dytë nisi sërish mirë për kuqezinjtë, por në minutën e 54-t polakët gjetën edhe golin e tretë. Një nënvlerësim i Kumbullës ndaj bomberit Lewandowski, bëri që ky i fundit të përfitonte dhe të shërbente për Krychoviak, që e pati të thjeshtë ta dërgojë sferën në rrjetë.

Më pas vijnë edhe dy kartonë të verdhë për Gjasulën e Manajn, të cilët gjithashtu humbin ndeshjen e ardhshme ndaj Hungarisë dhe pavarësisht një loje të mirë të kuqezinjve, golin e bëjnë sërish polakët, që dërgojnë topin në rrjetë për herë të katërt në minutën e 89’ me Linetty, duke vulosur suksesin 4-1.

Pas dy ditëve, më 5 shtator, radha e përballjes me Hungarinë në “Elbasan Arena”.